RECONNECT në Málaga, Spanjë – AULEDA merr pjesë në Takimin e Partnerëve dhe Vizitën Studimore

Vizitë Studimore në Lille, Francë

May 8, 2026

AULEDA mori pjesë në vizitën studimore të projektit BLUEQ në Kroaci

July 11, 2026

Vizitë Studimore në Lille, Francë

May 8, 2026

AULEDA mori pjesë në vizitën studimore të projektit BLUEQ në Kroaci

July 11, 2026

RECONNECT në Málaga, Spanjë – AULEDA merr pjesë në Takimin e Partnerëve dhe Vizitën Studimore

Në datat 30 qershor – 2 korrik 2026, partnerët e projektit RECONNECT, i bashkëfinancuar nga Programi Interreg Euro-MED dhe Bashkimi Evropian, u mblodhën në Málaga, Spanjë, për të zhvilluar Takimin e Komitetit Teknik (Technical Committee), Takimin e Komitetit Drejtues (Steering Committee) dhe një Vizitë Studimore në Almería. Aktiviteti u organizua nga partnerët spanjollë BIC Euronova dhe CMMA, duke bashkuar përfaqësues të të gjithë partnerëve të projektit për të vlerësuar progresin e deritanishëm dhe për të planifikuar fazat e ardhshme të zbatimit.

AULEDA – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal ishte pjesë aktive e këtij takimi, duke kontribuar në diskutimet teknike dhe strategjike mbi zbatimin e aktiviteteve pilot që synojnë nxitjen e inovacionit ndërsektorial dhe simbiozës industriale në sektorët e peshkimit, akuakulturës dhe ekonomisë blu.

Gjatë ditës së parë, më 30 qershor, partnerët zhvilluan Takimin e Komitetit Teknik në Málaga, ku u prezantua progresi i paketave të punës dhe u diskutuan hapat e ardhshëm të projektit. Axhenda përfshiu prezantimin e metodologjisë së Open Innovation dhe të mjetit të bazuar në inteligjencën artificiale, i cili do të mbështesë zhvillimin e aktiviteteve demonstrative në të gjitha rajonet partnere. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua procesit të përzgjedhjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për fazën pilot, monitorimit të treguesve të projektit dhe identifikimit të sfidave gjatë implementimit. Partnerët diskutuan gjithashtu metodologjinë për zbatimin e pilotëve në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, organizimin e Njësisë Ndërsektoriale të Ndërmjetësimit për Inovacionin (Innovation Brokerage Unit), aktivitetet e komunikimit dhe mënyrat për të rritur përfshirjen e aktorëve lokalë në zhvillimin dhe përvetësimin e zgjidhjeve inovative. Takimi u mbyll me një diskutim të përgjithshëm mbi rezultatet e arritura dhe koordinimin e aktiviteteve të ardhshme.

Më 1 korrik, partnerët morën pjesë në një vizitë studimore në Almería, e cila u organizua për të prezantuar modele konkrete të inovacionit dhe transferimit të teknologjisë në sektorin bioekonomik. Delegacioni vizitoi kompaninë Biorizon Biotech, ku u prezantuan kërkimet dhe aplikimet e bioteknologjisë së bazuar në mikroalga dhe zhvillimi i produkteve me vlerë të shtuar për sektorë të ndryshëm industrialë. Gjithashtu u zhvillua një vizitë në Life Bioencapsulation, një iniciativë inovative e fokusuar në zgjidhje të qëndrueshme për mbrojtjen biologjike dhe zhvillimin e teknologjive të reja në bujqësi dhe akuakulturë. Këto vizita ofruan një mundësi të rëndësishme për partnerët që të njihen nga afër me praktikat më të mira evropiane në transferimin e inovacionit, bashkëpunimin mes kërkimit shkencor dhe biznesit, si dhe krijimin e ekosistemeve që mbështesin zhvillimin e ekonomisë blu dhe asaj qarkore.

Në ditën e fundit, 2 korrik, u zhvillua Takimi i Komitetit Drejtues në ambientet e BIC Euronova, ku partnerët analizuan ecurinë e përgjithshme të projektit, statusin e aktiviteteve të menaxhimit dhe aspektet financiare. Gjatë këtij takimi u diskutuan raportimi i periudhës së parë të projektit, planifikimi i hapave të ardhshëm, ngritja e strukturave të reja të menaxhimit dhe koordinimi ndërmjet partnerëve për periudhën në vijim. Gjithashtu u miratuan orientimet kryesore për vazhdimin e implementimit të aktiviteteve pilot dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar brenda konsorciumit.

 

Pjesëmarrja e AULEDA-s në këtë aktivitet ndërkombëtar përforcon angazhimin e saj për të kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve inovative për ekonominë blu, promovimin e simbiozës industriale dhe mbështetjen e bashkëpunimit mes institucioneve kërkimore, bizneseve dhe aktorëve lokalë. Përvoja e fituar gjatë takimeve dhe vizitave studimore do të shërbejë për përmirësimin e zbatimit të aktiviteteve të projektit në Shqipëri dhe për transferimin e praktikave më të mira evropiane në nivel rajonal.