
AULEDA mori pjesë në vizitën studimore të projektit BLUEQ në Kroaci
July 11, 2026
FLAVOR Interregional Study Visit in Biržai Lithuania
September 14, 2026Mbrojtja e një ekosistemi jetik të Mesdheut
Projekti BLUEQ – “Zgjidhje të Aplikuara për Monitorimin e Habitateve Bregdetare dhe Përcaktimin Sasior të Rezervave të Karbonit Blu: Një Qasje e Integruar për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Ekosistemeve” – bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit Interreg IPA ADRION 2021–2027. Projekti udhëhiqet nga Universiteti i Egjeut dhe bashkon partnerë nga Greqia, Italia, Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi për të trajtuar presionet e përbashkëta mbi ekosistemet bregdetare dhe detare.

BLUEQ përqendrohet te livadhet e Posidonia oceanica, një habitat prioritar mesdhetar që mbështet biodiversitetin detar, shërben si zonë shumimi dhe ushqimi, stabilizon sedimentet, përmirëson cilësinë e ujit dhe depoziton karbon për periudha të gjata. Megjithatë, mungesa e të dhënave të krahasueshme mbi shtrirjen e livadheve, gjendjen e tyre ekologjike dhe rezervat e karbonit vazhdon të kufizojë planifikimin e koordinuar në fushën e ruajtjes së natyrës dhe klimës.
Projekti i përgjigjet kësaj sfide duke ndërthurur imazhet satelitore dhe ato të realizuara me dron, hartëzimin në terren dhe nënujor, studimet e biodiversitetit, vlerësimet ekologjike, marrjen e kampionëve cilindrikë të sedimentit dhe kampionimin e biomasës. Objektivi i tij është ta shndërrojë këtë evidencë shkencore të harmonizuar në një zgjidhje të aksesueshme, të bazuar në GIS, si dhe në një udhërrëfyes të përbashkët rajonal për ruajtjen e karbonit blu.
Rezultatet e deritanishme: një metodologji, katër zona studimore
Ndërmjet tetorit 2025 dhe korrikut 2026, partneriteti BLUEQ zbatoi fushata të koordinuara në terren në katër zona detare përfaqësuese, të mbrojtura ose me vlerë të lartë. Zbatimi i protokolleve të përbashkëta në mjedise me karakteristika të ndryshme ekologjike ka mundësuar krijimin e të dhënave të krahasueshme dhe ka forcuar bashkëpunimin ndërmjet studiuesve, menaxherëve të zonave të mbrojtura, institucioneve publike dhe ekspertëve teknikë.
Kretë, Greqi – tetor 2025. Në Gjirin e Falasarnës, pjesë e rrjetit Natura 2000, ekipet realizuan hartëzimin e habitateve në terren, vrojtime me dron, vëzhgime bregdetare, transekte për vlerësimin e biodiversitetit, marrjen e kampionëve cilindrikë të sedimentit dhe kampionimin e biomasës. Analizat fillestare identifikuan 10–13 lloje në çdo transekt me Posidonia, krahasuar me pesë lloje në sedimentin e zhveshur. Livadhi u klasifikua në Gjendje të Mirë Ekologjike sipas Indeksit të Shpejtë dhe të Thjeshtë të Posidonia-s (PREI).
Sicili, Itali – 16–22 nëntor 2025. Në Zonën e Mbrojtur Detare të Plemmirios, hartëzimi nënujor dhe ai me dron u ndërthurën me vlerësimet e biodiversitetit dhe gjendjes ekologjike, marrjen e kampionëve cilindrikë të sedimentit dhe përgatitjen e kampionëve për analiza laboratorike. Në transektet me Posidonia u identifikuan 14–16 lloje, krahasuar me gjashtë lloje në sedimentin e zhveshur, ndërsa livadhi i vlerësuar u klasifikua në Gjendje të Mirë Ekologjike.
Vlorë, Shqipëri – 28–30 prill 2026. Puna në terren, me bazë në Qendrën e Vizitorëve në Radhimë, përfshiu Radhimën, Gadishullin e Karaburunit dhe ujërat përreth Ishullit të Sazanit. Ekipet e zhytjes matën parametrat e ujit, regjistruan habitatet detare dhe mblodhën kampionë biologjikë, biomase dhe sedimenti, duke garantuar gjurmueshmërinë e tyre. Studimet dokumentuan një zonë lokale të dendur dhe të zhvilluar strukturalisht me Posidonia, si dhe dëshmi të rigjenerimit natyror. Megjithatë, nevojiten matje më të gjera përpara se të nxirren përfundime për livadhin në tërësi.
Arkipelagu Žut–Sit, Ishulli Murter dhe Shibenik, Kroaci – 7–9 korrik 2026. E organizuar nga Institucioni Publik “Natyra e Qarkut Shibenik-Knin”, vizita përfundimtare ndërthuri vëzhgimet në terren dhe mbledhjen e kampionëve përreth Ishullit Žut me shkëmbimin e përvojave mbi metodat e monitorimit dhe praktikat e ruajtjes. Kjo fushatë përmbylli ciklin e punës në terren në të katër zonat dhe zgjeroi bazën e përbashkët të të dhënave duke përfshirë edhe Adriatikun Verior.
Gjetjet paraprake
Rezultatet e para të analizuara konfirmojnë vlerën e livadheve të Posidonia-s si habitat: si në Falasarna, ashtu edhe në Plemmirio, pasuria dhe diversiteti i llojeve ishin vazhdimisht më të larta në transektet e mbuluara me bimësi sesa në sedimentet e zhveshura ngjitur me to. Në të gjitha zonat, kampionët u mblodhën, u etiketuan, u ruajtën dhe u dokumentuan sipas procedurave standarde, në mënyrë që vëzhgimet në terren të shndërrohen në rezultate laboratorike të besueshme dhe të krahasueshme. Rezultatet e fushatave të mëvonshme vijojnë të jenë në proces analize.
Ngritja e Observatorit Transnacional
Puna në terren ka kontribuar gjithashtu në forcimin e Observatorit Transnacional BLUEQ. Observatori është konceptuar si një kuadër afatgjatë bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave, transferimin e njohurive, harmonizimin e monitorimit dhe përditësimin e rregullt të informacionit mbi gjendjen dhe ruajtjen e ekosistemeve të barishteve detare. Ai lidh institucionet dhe ekspertët e vendeve pjesëmarrëse dhe mbështet hartimin e përbashkët dhe zbatimin e ardhshëm të Strategjisë së Përbashkët BLUEQ.
Hapat e ardhshëm: nga kampionët te zgjidhjet
Pas përfundimit të fushatave në terren, partnerët do të finalizojnë analizat laboratorike dhe hapësinore të të dhënave mbi sedimentet, biomasën, biodiversitetin dhe hartëzimin e habitateve. Puna do të përcaktojë sasinë e rezervave të karbonit dhe do të shqyrtojë treguesit ekologjikë, si dhe origjinën, qëndrueshmërinë dhe cenueshmërinë e mundshme të karbonit organik të depozituar.
Këto rezultate do të integrohen në Zgjidhjen e Përbashkët BLUEQ: një platformë interaktive e bazuar në GIS, e cila ndërthur tri mjete të ndërlidhura. Mjeti i Monitorimit do të paraqesë shtrirjen dhe gjendjen e livadheve nëpërmjet tri niveleve të informacionit; Mjeti i Karbonit Blu do ta shndërrojë shtrirjen e hartëzuar të barishteve detare dhe matjet në terren në vlerësime hapësinore të rezervave të karbonit; ndërsa Mjeti për Mbështetjen e Vendimmarrjes do t’i ndihmojë përdoruesit të shqyrtojnë përfitimet që lidhen me reduktimin e gazeve serrë dhe bashkëpërfitimet që mund të arrihen përmes skenarëve të ndryshëm të menaxhimit dhe restaurimit të bazuar në natyrë.
Zgjidhja do të testohet me përdoruesit përfundimtarë, duke përfshirë autoritetet publike, menaxherët e zonave të mbrojtura detare, studiuesit dhe anëtarët e Observatorit BLUEQ. Evidencat e mbledhura në të katër zonat studimore do të kontribuojnë gjithashtu në Strategjinë e Përbashkët BLUEQ, një udhërrëfyes i përbashkët për integrimin e karbonit blu në planifikimin hapësinor detar, ruajtjen, restaurimin dhe politikat klimatike në të gjithë rajonin Adriatik–Jon.
Duke ndërlidhur shkencën, mjetet praktike dhe bashkëpunimin afatgjatë transnacional, BLUEQ po i ndihmon vendimmarrësit të kalojnë nga informacioni i fragmentuar drejt mbrojtjes së koordinuar dhe të bazuar në të dhëna shkencore të njërit prej ekosistemeve bregdetare më të çmuara të Mesdheut.
Rreth BLUEQ
BLUEQ (IPA-ADRION00447) është shkurtimi i titullit “Zgjidhje të Aplikuara për Monitorimin e Habitateve Bregdetare dhe Përcaktimin Sasior të Rezervave të Karbonit Blu: Një Qasje e Integruar për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Ekosistemeve”. Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit Interreg IPA ADRION 2021–2027 dhe mbështet zhvillimin e një rajoni Adriatik–Jon më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike.
T6: Informacion i mëtejshëm
● Faqja e internetit e projektit: https://blueq.interreg-ipa-adrion.eu/





