Ekipi MILAIO – startup-i shqiptar, i jepet çmimi i tretë në EUSAIR POPRI YOUTH, konkursi ndërkombëtar startup
Në Holiday Inn Hotel, u bë prezantimi i skuadrës MILAIO, e cila u përfaqësua nga nxënëset AnaMari Sulcaj, Joana Dhiamanti dhe Kamila Abazi, të Shkollës Jo Publike “Internacional”. Këta të rinj ishin pjesëmarrës në një nga kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare të startup-ëve, EUSAIR POPRI YOUTH, i cili ka përfshirë grup-moshën 14-18 vjeç.
Kompeticioni ndërkombëtar i startup-ëve në zonën e Adriatiko-Joniane, EUSAIR POPRI YOUTH, u zhvillua këtë vit në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë. Ky kompeticion është vazhdim i dy ngjarjeve të mëparshme, të organizuara në Lubjanë, Slloveni në vitin 2021 dhe në Tiranë, Shqipëri në vitin 2022, të koordinuara me sukses nga Auleda, Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal.
Projekti MILAIO është një zgjidhje inovative që shërben për të gjithë ata që kryejnë aktivitete në natyrë si atletë, sportistë, turistë dhe të tjerë të cilët kanë nevojë të vazhdueshme për energji për celularët e tyre ose pajisjet e punës. Kjo zgjidhje përfshin veshje inteligjente si kokore mbrojtëse, kapele, dhe çanta shpine të pajisura me qeliza të shndërrimit të energjisë diellore në energji elektrike. Energjia e prodhuar ruhet në një power-bank, duke e bërë atë të disponueshme për përdorim kurdo dhe kudo. Projekti MILAIO, krijuar nga skuadra shqiptare, është një shembull frymëzues i inovacionit dhe përpjekjeve të të talentuarve të rinj për të adresuar nevojat e kohës së sotme.