Grow Up Popri Youth Startup Bootcamp

Takim hapës dhe prezantimi publik i projekteve, “Routes4culture”
1 Nëntor, 2022
Në 7 Dhjetor 2022, u diskutua me bizneset rreth investimeve ne energjine e rinovueshme
9 Janar, 2023

Në datat 11-12-13 nëntor 2022 grupe të rinjsh të shkollave të mesme publike e jo publike dhe universiteteve morën pjesë në bootcamp-in e organizuar nga Auleda – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal Vlorë në kuadër të zbatimit të projektit “Grow Up Popri Youth Albania”, financuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Gjatë tre ditëve, të rinjtë patën mundësi të përpunojnë idetë e tyre të biznesit dhe mësojnë më tepër në lidhje me fazat e strukturimit të një ideje fillestare.

Qëllimi kryesor ishte që të rinjtë të njihen me metodat dhe hapat e hartimit të një ideje biznesi dhe të krijojnë mentalitetin e duhur të sipërmarrjes. Puna interaktive në grup dhe aktivitetet e ndryshme simuluese i ndihmojnë të rinjtë të mësojnë hapat në të cilat një ide fillestare kalon para se të shndërrohet në një sipërmarrje. 

Dita e parë

Dita e parë u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtoreshës Ekzekutive të Auleda, Znj. Mirela Koci, e cila shpjegoi shkurtimisht projektin, duke u shoqëruar më pas me një fjalë përshëndetëse nga përfaqësues të Ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Pa u zgjatur, të rinjtë u njohën me njëri tjetrin dhe  idetë e tyre fillestare. 

Ky sesion u përqendrua në identifikimin dhe ristrukturimin e problemit. Ekipet pasi u njohën me modelin “Opportunity Canvas”, u ftuan të punojnë në grupe me asistencën e mentorëve për të përpunuar idetë e tyre të biznesit duke përdorur modelin. Pas integrimit të ideve të tyre, ekipet prezantuan progresin e çdo ideje. 

Dita e parë u mbyll me një sesion workshopi me temën “Sipërmarrësi dhe sipërmarrja”. Qëllimi i workshopit ishte ndarja e ideve dhe koncepteve dhe diskutimi i tyre në kontekstin lokal. 

Dita e dytë

Pas koncepteve fillestare në ditën e parë, dita e dytë përfshiu sesione më intensive për ekipet e të rinjve. Menjëherë ata u njohën me profilin e klientëve dhe prezantimin e prototipit. Me rëndësi ishte përdorimi i Value Proposition Canvas për identifikimin e grupeve të klientëve dhe ndërtimit të Prototipit. Pas koncepteve kryesore, ekipet u ftuan të përpunojnë idetë e tyre të biznesit duke punuar në grup me mbështetjen e mentorëve. 

Pas një pushimi të shkurtër, ekipet u njohën me konceptin e Business Model Canvas si mjet për të ilustruar një pamje të përgjithshme të çdo startup-i. Ekipet u kthyen punës në grup për të ilustruar njohuritë e mara. Më pas, ekipet u njohën me përdorimin e Marketing Strategy Canvas për të ndërtuar fushata marketingu të mirë strukturuara sipas grupeve të klientëve të identifikuar – Përpunimi i ideve të biznesit (punë në grupe dhe mentorë)

Dita e dytë përfundoi me Përdorimin e Elevator Pitch për të prezantuar progresin e idesë, potencialin e investimit dhe planin e veprimit. Ekipet mësuan si të prezantojnë idetë e tyre para një jurie e cila mund të jetë dhe një investitor potencial i ideve të tyre. 

Dita e tretë

Dita e tretë dhe e fundit e aktivitetit iu dedikua prezantimit të ideve të biznesit. 10 ide sipërmarrjeje u prezantuan para një jurie, e cila në përfundim vlerësoi me çmimin e parë, të dytë dhe të tretë ekipet fituese. Ekipet e të rinjve shpalosën ide inovatore dhe një punë tepër cilësore, duke identifikuar nevoja reale që kanë të rinjtë sot, dhe jo vetëm, dhe duke paraqitur zgjidhjet e tyre në formën e modeleve sipërmarrëse. Në vend të tretë, u rendit grupi Uni-prep me idenë e tyre për të krijuar një platformë këshilluese për adoleshentët të cilët kanë nevojë për këshillim karriere. Në vend të dytë u rendit grupi Alfa me idenë e tyre Work IT, me idenë e ndërtimit të një platforme punësimi për të rinjtë e moshave 16-18 vjeç. Vendi i parë shkoi për grupin e vajzave KAIO IE me idenë e tyre MILAIO që ka të bëjë me prodhimin e veshjeve të cilat prodhojnë energji elektrike përmes qelizave fotovoltaike. 

Në përfundim, certifikata pjesëmarrjeje dhe çmime për fituesit u shpërndanë nga juria.